Secondary Adv

Turizmi në 2025, 12.4 milionë hyrje nga të huajt, rritja ngadalësohet ndjeshëm

Rritja e turizmit në 2025 u ngadalësua ndjeshëm, pavarësisht mbi 12.4 milionë hyrjeve të të huajve.

Turizmi në vitin 2025 ka shënuar një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes në raport me vitin paraardhës. Pavarësisht se shifra arriti në 12.46 milionë hyrje të të huajve, me një rritje prej 6.6 për qind krahasuar me vitin 2024, ajo që bie në sy është ngadalësimi i ritmit, pasi në vitin 2024 rritja ishte 15.2 për qind. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave mbi lëvizjen e shtetasve për muajin dhjetor tregojnë qartë panoramën e këtij viti.

 

Të dhënat mujore të hyrje-daljeve

“Gjatë muajit Dhjetor 2025, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 1.542.889 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 7,0%, krahasuar me Dhjetor 2024. 1.353.137 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 8,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në Dhjetor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 844.147, duke pësuar një rritje me 7,1%, krahasuar me Dhjetor 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 698.742, duke u rritur me 6,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, thuhet në publikimin e INSTAT.

 

Daljet e shtetasve

Sipas INSTAT, në muajin Dhjetor 2025, 714.457 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 10,6% krahasuar me Dhjetor 2024. Ndërkohë, daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Dhjetor 2025 ishin 638.680, me një rritje prej 5,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Origjina e turistëve të huaj

Në Dhjetor 2025, 97% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri ishin nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zuri 85% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti evropian, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6% dhe Evropa Veriore me 4%, vlerëson INSTAT.

 

Pritshmëritë dhe problematikat e vitit

Viti 2025 nisi me pritshmëri optimiste nga turoperatorët për një sezon të suksesshëm, por këto pritshmëri u zbehën muaj pas muaji, duke u reflektuar qartë në fillim të verës. Operatorët theksuan se rritja e çmimeve në disa rajone, zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, si edhe problematikat bazike të shfaqura kryesisht gjatë verës, e bënë Shqipërinë më pak atraktive.

 

Faktorët që ndikuan në ngadalësim

Italianët, ndonëse prezentë gjatë verës, ulën ritmin e vizitave, ndërsa turistët nga Kosova u përqendruan kryesisht në pjesën veriore të vendit. Mungesa e ujit në Golem, problemet me energjinë dhe djegia e mbetjeve në pjesën e Jugut u kthyen në arsye shtesë për vlerësime negative. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Shqipëria arriti të mbajë një rritje të moderuar falë ecurisë së mirë të tureve kulturore gjatë pranverës dhe verës, element që është vlerësuar pozitivisht nga turoperatorët.

 

Parashikimet për vijimësinë

Për vitin aktual, turoperatorët janë treguar më të rezervuar në parashikime, duke nënvizuar se tendenca e rritjes pritet të jetë e ngjashme me vitin që u mbyll, por kërkohet reflektim dhe masa urgjente për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimit, në mënyrë që kjo rritje, edhe pse e moderuar, të jetë e qëndrueshme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat